Mbrëma gala “Më të mirët 2023” e organizuar nga FSHF ka parë të jepet çmim edhe për gjyqtarin më të mirë të vitit. Enea Jorgji, Eldorjan Hamiti dhe Juxhin Xhaja ishin kandidatët në garë dhe këtë vit. Ka qenë elbasanasi Enea Jorgji ai që mori çmimin për këtë vit.

“Mirëmbrëma që të gjithëve. Pikë së pari urime për këtë event fantastik, ndër më madhështorët e organizuar në Shqipëri për futbollin. Ky çmim nuk vlen vetëm për punën që kam bërë unë, së bashku me mua kanë qenë edhe dy kolegë, asistentët Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, kanë qenë mbështetja më e madhe.

Së bashku kemi arritur që të dalim fitimtarë në një sfidë tjetër. Suksesi nuk mbaron këtu, se gjyqtar të katërt kam pasur Florian Latën për një sasi të madhe të ndeshjeve. Ai nga viti që vjen është gjyqtari ynë i katërt i FIFA-s që është një arritje e madhe.

Këtë çmim dua t’ia dedikoj të gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë, por edhe atyre që më kanë kritikuar e më kanë dhënë forcën të bëj më tepër e për të treguar që unë mund të bëj më mirë dhe po bëj më mirë”, tha Jorgji në fjalimin e tij.