E majta e tij ka qenë edhe njëherë tjetër fatale për ekipin kundërshtar por edhe fatlume për ekipin e tij.

Erald Çinari ka shënuar ndaj Teutës golin e parë dhe ka qenë një gol që ka sjellë festë në “Loro Boriçi” pasditen e së hënës.

Protagonisti i këtij goli padyshim që ndjehet mirë jo vetëm që ka shënuar por edhe pse ky gol i shërbeu Vllaznisë për të marrë një trepikësh me shumë vlerë.

“Ka qenë një fitore e rëndësishme për ekipin tonë. Ishim përgatitur përgjatë gjithë javës për të arritur këtë fitore.

Mendoj se ekipi bëri më të mirën e tij në përgjithësi. Goli që shënova normalisht që të jep emocionet e tij, por kur fiton përjetohet edhe më bukur.

Ka qenë një trepikësh që na duhej, por nuk duhet që të themi se kemi arritur gjithçka. Kemi fituar një takim që duhej fituar. Kemi patur presionin mbi vete, por falë zotit arritëm atë që kërkuam.

Tani kemi të tjera takime të vështira përpara ku duhet të vijojmë që të kërkojmë të tjera rezultate pozitive.

Shpresoj se do të vazhdojmë që të ruajmë këtë ecuri të këtyre javëve të fundit edhe në Gjirokastër.

Nuk kemi pse të mos shkojmë për një rezultat pozitiv, por duhet të jemi me këmbë në tokë”- ka deklaruar numri 11 i kuqebluve.
© shkodrasport.com