Futbollisti i njohur pogradecar, Erjon Dragoj, erdhi te Lushnja gjatë merkatos së janarit nga skuadra e Korabit. 24-vjeçari luan kudo në linjën e majtë, por do ta mbajë mend gjatë këtë gjysmë-sezoni për golin e shënuar ndaj Ilirisë në ndeshjen shtesë, që i siguroi Lushnjës qëndrimin në Kategorinë e Parë.

Në një deklaratë për gazetën “Panorama Sport”, Dragoj rrëfen periudhën te Lushnja që nga fillimi i këtij viti, si dhe shpreh dëshirën e tij për të vazhduar me verdhejeshilët edhe në sezonin 2024-2025.

DEKLARATA – “Nuk ishte ai sezon që prisja, si nga ana personale, edhe nga ana e ekipit. Erdha me ide tjetër tek ekipi i Lushnjës. Me idenë, që mund të ecnim më shumë, më lart, deri te pjesa e “play-off”-it. Pse jo, edhe deri te pjesa finale duke parë kontigjentin e lojtarëve. Kjo ishte pak a shumë ideja. Ajo që ndodhi ishte jashtë pritshmërive që unë kisha kur erdha. Patëm mundësinë ta kapnim “play off-in”, por gjërat u bënë të vështira në vazhdim. Na ranë dy ndeshje radhazi në Peshkopi. I humbëm të dyja, ikën gjashtë pikë menjëherë.

Duke parë kalendarin e fazës së tretë, fillimisht patëm përballje me ekipet e forta sipër nesh. Kjo na penalizoi pak, pasi na u afruan ekipet që kishim poshtë vetes. Pastaj, vjen pjesa e presionit. Duke parë që me ekipet që kishim aty, kishin edhe ato presionin e pikëve, kërkonin fitoren. Na u bënë gjërat edhe më të vështira dhe shkuam te ndeshja e “play out”-it ndaj Ilirisë. Duke parë kategoritë që luhet, ka diferenca të mëdha, fizike dhe tekniko-taktike. Ka qenë ndeshja me më shumë emocione që kam pasur, sepse nuk isha përballur ndonjëherë me “play out-in”, pra me këtë pjesë të presionit sportiv. Gjithsesi, në fushë treguam që kemi karakter dhe ia dalim në momente të vështira. Jam i lumtur që erdhi goli, ndoshta vonë, por në momentin më të rëndësishëm.

Me rezultatin 1-0 ndaj Ilirisë patëm edhe pak probleme, sepse ishim gjatë gjithë kohës për të menaxhuar rezultatin. Goli i shënuar në fund të finales, ishte gol qetësie dhe që të dhuron një emocion të paparë. E ardhmja? Kam për të biseduar përsëri për sezonin e ri. Të shohim se si do të ndërtohet ekipi dhe pretendimet që do të ketë. Lushnja duhet të shkojë ekipi aty ku e meriton vërtetë”, deklaroi pogradecari i lushnjarëve, Erjon Dragoj.