Kampioni i Europës në peshëngritje, shkodrani Erkand Qerimaj do të marrë një titull shumë të lartë ditën e hënë. Ai do dekorohet nga Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Motivacioni kuptohet që është arritja e rezultateve shumë të larta sportive dhe pikërisht për titullin e fundit që ai mori në Turqi, edhe Presidenti Topi ka thyer të gjitha barrierat institucionale që duhen për të shkuar deri tek firma e tij. Tashmë çdo gjë duket e përfunduar në këtë mes dhe të hënën në orën 11.00, Erkand Qerimaj do nderohet në Presidencë me këtë titull të lartë. Në këtë ceremoni, peshëngritësin kampion do ta shoqërojnë familjarë dhe miqë të tij. Sigurisht që ky titull ia lartëson edhe më shumë vlerat këtij sportisti që ende nuk i ka mbushur 24 vjeç por ka sjellë në Shqipëri titullin më të lartë sportiv në peshëngritje duke qenë më i miri i kontinentit. Java që po lëmë pas ka qenë e mbushur me pritje dhe dekorime për të. Nga pritja e bërë në Shkodër të dielën e kaluar, për të vazhduar me nderimin me titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave” ditën e hënë, për të vazhduar me pritjen e bërë nga ministri i sporteve Aldo Bumçi dhe ajo në Komitetin Olimpik Shqiptar. Përveç këtyre pritjeve, edhe shumë intervista në ekrane të ndryshme televizive, ku secili kanal dëshironte ta kishte në studion e tij këtë kampion. Por nga e hëna, Erkand Qerimaj nuk do jetë më vetëm një Kampion Europe. Do jetë edhe një Mjeshtër i Madh!

Gjergj KOLA