Ersi Çaku u zyrtarizua para pak ditësh si trajner i Shkodra u-19. Pavarësisht se prej disa muajsh ai trajnon këtë skuadër vetëm në këto ditë çdo gjë është bërë zyrtare. Ai foli së fundmi për këtë aventurë të re, duke u shprehur krenar që do drejtojë në një prej akademive që gjithmonë ka prodhuar futbollistë cilësor.

Çaku tha: “Tashmë në sezonin e ri do jem në një aventurë të re dhe mund të them se jam i gëzuar dhe krenar që më është besuar ekipi i Shkodra u-19. Kjo pasi kjo akademi është ndër më të mirat në vend dhe që ka prodhuar futbollistë të shumtë për kampionatin shqiptar. E jo më larg se ditën e dielë në fushë për Bylis ishin dy ish-elementë të kësaj akademie si Trumçi apo Preka.

Sezoni i ri ? Më duket disi e padrejtë që Shkodra nuk do jetë në Superiore, pavarësisht se sportivisht duhej të ishte aty. Por reforma që ka ndërmarrë FSHF së fundmi e ka penalizuar disi akademinë tonë.

Ku skuadrat do jenë gjithsesi pjesë e ligës profesioniste, por në Kategorinë e Parë. Po ashtu ne jemi renditur si ekipi i 24-ët nga 56-ët që ka Shqipëria dhe kjo na bën krenar sepse tregon që kjo skuadër ka vlera dhe se pretendon gjëra të mëdha. Në një ligë si Kategoria e Parë ku konkurrenca do jetë shumë e fortë këtë sezon”.

Endri ÇINARI