Ervin Skela nuk e humbet kurrë klasin. As kur kritikon dhe as kur bën sugjerime. Asnjëherë bajat, përkundrazi, shumë i kujdesshëm për të evituar polemikat. Nuk e fsheh zhgënjimin që përjetoi pasi la futbollin, por është një lab atipik, sepse është nga ata që edhe kur vendosin të të kritikojnë, e bën duke të “gjuajtur me pambuk”.

Pa deklarata të forta, por gjithsesi i drejtpërdrejtë. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, e thotë hapur se është ndier keq që FSHF nuk i ofroi asgjë pasi la futbollin. “E kuptoj që jo gjithmonë ka diçka për të ofruar, por ndonjëherë mjafton edhe një telefonatë kortezie: ‘A je mirë? A të duhet diçka?’ Nuk ndodhi për fat të keq. Askush nuk pyeti për mua”, thotë vlonjati që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në Kombëtare. Një nga lojtarët më të dashur nga tifozët vite më parë, sot ka disa “porosi” speciale për Kombëtaren. “Broja është diamanti ynë.

“Reja ka shumë eksperiencë dhe natyrisht që ai do ta ruajë pozicionin dhe autoritetin e tij. Ndonjëherë të jesh i talentuar nuk do të thotë ta kesh të garantuar vendin e titullarit. Por ama Broja është tjetër gjë.

Broja është “diamanti” i Shqipërisë sot. Shqipëria, për aq sa unë e njoh historinë e Kombëtares, nuk ka pasur kurrë një si Broja. Kam luajtur me futbollistë të mëdhenj në epokën time dhe kam shumë respekt për të gjithë, por nuk kam parë asnjë si Broja. Nëse unë do të isha trajneri i Shqipërisë, do ta ndërtoja gjithçka rreth tij.

Ai pra do të ishte pika e referimit për gjithë skuadrën. Do ta pyesja: Si e do topin? Ku e do? Si të ndihmojmë? Etj… Fundja, edhe te Barcelona luanin për Mesin të gjithë, edhe tek Anglia për Kejnin, edhe te Polonia për Levandovskin… Ky është futbolli: nëse ke dikë në ekip që të bën diferencën, do t’i përshtatesh dhe do ta ndihmosh që t’i marrësh maksimumin, por edhe të piqet si lojtar. Me Brojën duhet pasur kujdes.

Sepse është i ri, i duhet kohë që të piqet sa duhet, por ndërkohë është i vetmi që bën diferencën në çdo prekje topi. Më besoni, sa herë ai ka topin në këmbë, kundërshtarët futen në panik, edhe kur është jashtë zone, sepse nisin të mendojnë: “Mos do të gjuajë që aty”, “Mos do të na driblojë”, “Mos do të na mundë në shpejtësi…”.

Ai i bën të gjitha sepse ka forcë, ka shpejtësi, ka gjuajtjen e mirë dhe ka personalitet. Po, ai është edhe një lojtar me shumë personalitet që te disa të tjerë unë ende nuk e kam parë. Ka ego dhe më kujton kohën kur unë vetë luaja futboll.

Une mendoj se ka ardhur koha per nje trajner shqiptare ne krye te kombetares dhe me i miri ne keto momente do ishte Besnik Hasi. Ka personalitetin e duhur, eksperiencën dhe mbi të gjitha ambicien. Ai e di se çfarë është Shqipëria, si mund të ndërtohen gjërat e mira dhe se si mund të fitohet. Ka qenë fitues si lojtar dhe më pas si trajner. Për mua do të ishte një zgjedhje e mirë”- eshte shprehur nder te tjera Ervin Skela.