Humbja e sotme ndaj Skënderbeut ka trazuar jo pak ujërat në ambjentin sportiv shkodran. Ka shumë pakënaqësi në lidhje me humbjen e rradhës dhe normalisht që duan të gjejnë edhe fajtorët.

Por ndërkohë, ka edhe nga ata që bëjnë thirrje për mbështetje të skuadrës. Njëri prej tyre është trajneri i ekipit Vllaznia B Ervis Kraja që pak minuta më parë, ka lëshuar një status në faqen e tij në facebook ku shkruan:

“Kemi shumë probleme nga të gjitha anët po a ban me më tregu dikush kujt i sherben ky negativitet që po shfaqet prej disa kohësh, ka dëshië dikush të biem nga kategoria?

Ka dëshirë dikush të rregullojnë interesat personale? Vllaznia është e të gjithëve e ta ndihmojmë në momente të vështira siç është tani e siç ishte vjet kur u çua i madh e i vogël ta mbështeste.

Pse u dashka ta presim ndeshjen e fundit me shku në stadium? S’di ndoshta gabohem, po duhet punuar shumë që tifozat të vijnë në stadium.

Ndoshta dhe zbutja e disa njerëzve do ishte mirë për futbollin shkodran e për ekipin e Vllaznise.

Vllaznia është e Shkodrës, me profesorin, pa profesorin, me këto futbollista, pa këto futbollista.

Prandaj mendimi jem personal duhet mbështetur e jo ta shtyjmë drejt kategorisë së parë. Zoti na ndihmoftë e na afroftë më shumë afër njëri- tjetrit”.