Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka dalë sot para mediave për konferencën e fundit për mediat para sfidës së dytë në Grupin B të Euro 2024 ndaj Kroacisë.
“Ky është një grup shumë i vështirë patjetër. Por mendoj që është një gëzim shumë i madh për ne që jemi këtu, se luajmë kundër ekipeve më të mira, mësojmë ndaj këtyre ekipeve, nuk ka negociata fare, gjatë 90 minutave. Sot do të bëjmë gjithçka që mundemi, është gëzim që luajmë kundër ekipeve të fuqishme, të forta, këtyre skuadrave që kanë lojtarë të klubeve më të mëdha, është e mrekullueshme të luajmë kundër skuadrave të tilla. Kemi shumë gjëra për të mësuar, unë nuk do të heq dorë asnjëherë.
Kjo është ajo që kemi bërë ndaj Italisë, e kemi respektuar por kemi qenë në lojë deri në minutën e fundit, pothuajse erdhëm edhe te goli i barazimit. Ndoshta nesër fitojmë, kush e di? Por nesër do të jemi aty për të luajtur.
Kemi studiuar Kroacinë, edhe ne. Ndeshja me Spanjën ka mbaruar 0-3 por Kroacia ka luajtur shumë mirë, ka patur shumë mundësi shënimi, ka luajtur shumë mirë dhe ka shkaktuar probleme të mëdha për Spanjën që është një ekip shumë i mirë. Spanja ka shënuar në 29 minuta golat që i duheshin e pastaj bëhet e vështirë të kthehesh në lojë, por Kroacia ka cilësi shumë të mëdha, aftësi teknike e të pasimit të topit, cilësi të mëdha, ka cilësi në mbajtjen e topit. Nuk mund të thuash se Spanja ka fituar lehtë, ky është një grup i vështirë. E keni parë sa e vështirë është Kroacia. Nëse sheh lojtarë si Modriç apo Perishiç, është gëzim shumë i madh të luash ndaj lojtarëve të tillë me një cilësi të madhe. Mund të shihnit Zhorzhinjon, Barelën… E njoh Zhorzhinjon që nga 2017, e di se sa i mrekullueshëm është, ka cilësi të mëdha. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, kapiteni ynë ka fituar Ligën e Europës, kemi Asllanin, Asanin, Muçin, Brojën, kemi shumë të mirë që janë nga 19 në 23 vjeç. Duhet të jemi të durueshëm, do të përmirësohen. Kemi luajtur një ndeshje të mirë ndaj Italisë, kapiteni ka të drejtë kur thotë kemi një përzierje të mirë dhe është e mirë për një kombëtare që të shkojmë drejt të ardhmes.
Nuk është që nuk e sulmuam Italinë. Ata nuk na lejuan të sulmojnë, ata ishin shumë mirë të vendosur, ne sulmuam me 4, ata kishin 3-4 dhe 5 mbrojtës, mesfushorë që ktheheshin mbrapa. E kam parë shumë mirë, kemi pasur një pasim shumë të mirë nga Asllani por Italia u mbrojt mirë dhe siç e kam thënë, ky kompeticion e ka cilësinë shumë të lartë, Në fund Zhorzhinjo e Barela siç drejtuan lojën, mund të jetë mënyra për të fituar kampionatin. Këto janë lojtarë që kanë fituar kampionatin italian, kanë arritur në finalen e Champions. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë të futbollit. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme, mund të bëjmë shumë. Kjo e bën futbollin një gjë pasiononte. Por duhet të shfrytëzojmë eksperiencën, të rritim eksperiencën, para se të themi se ndeshemi në mënyrë të barabartë. Kemi një rrugë para dhe them se kemi bërë një ndeshje të mirë, kemi shënuar, na shënuan dy por nuk kolapsuam, nuk përfundoi, kishim mundësinë deri në fund për të barazuar.
Mesfusha e Kroacisë? Janë me të vërtetë lojtarët më të mirë aty dhe natyrisht Perishiç ka luajtur për Interin atë kohë, ka shumë aftësi të mira dhe lojtarët e mesfushës së Kroacisë kanë patur karrierë shumë të mirë. Mesfusha është hapësira ku kanë lojtarë të cilësisë më të lartë, pasim të mirë të topit. Duhet të përgatitemi mirë për sfidën në mesfushë, por edhe në pjesë të tjera, se kanë lojtarë si Kramariç e të tjerë. Por në mesfushë, e dini që aty është zemra e skuadrës, kanë lojtarë shumë të mirë dhe do të jetë një sfidë për ne”, the Silvinjo para mediave.