Si gjithnjë në fund të çdo viti është koha për të bërë bilance, për të zgjedhur më të mirët. Tek Vllaznia nëse ka treguar dikush paraqitje tepër pozitive në këtë gjysëmsezoni në Superiore, padyshim që ai është Esin Hakaj.
Edhe dje ndaj Teutës, ai tregoi vlerat e tij më të mira, duke kontribuar mbi të gjitha me një gol me shumë vlerë që shënoi në portën e durrsakëve dhe duke u bërë ndihmesë për Vllazninë që të marrë një trepikësh me shumë vlerë. Ky është goli i dytë për Hakajn këtë sezon, pas atij që shënoi ndaj Kukësit.
Realisht, 26-vjeçari është një futbollist konstant, i cili në fakt nuk shquhet për gjuajtje në drejtim të portave kundërshtare dhe aq më tepër për gola, pasi pika e tij më e fortë është dalja në krah dhe krosimi në zonë, teksa edhe dje ndaj Teutës spikati me një ndeshje të bukur që zhvilloi.
Në fakt, Hakaj po kalon momente shumë të mira të karrierës së tij dhe jo më kot, pak kohë më parë është ftuar edhe nga ish-trajneri Edoardo Reja në Kombëtare, teksa bëri debutimin me fanellën kuqezi në miqësoren ndaj Arabisë Saudite.
Mbrojtësi i majtë kuptohet që e ka merituar prej kohësh një ftesë të tillë dhe vetë Hakaj tashmë me formën e mirë që po kalon, duket i karikuar në maksimum për të bërë më të mirën e tij me Vllazninë, por edhe me Kombëtaren sa herë që ta thërrasin.
Padyshim që, Esin Hakaj është ndër futbollistët më të mirë të Vllaznisë në këtë gjysëmsezoni të Superiores, ndoshta-ndoshta edhe më i miri, edhe pse rrallëherë është përmendur.
Maringlen ZHIVANI