Shtatlarti shkodran Rubin Hebaj duket se nga janari me përfundimin e kontratës, nuk do të jetë më futbollist i Teutës. Nga burime të “Shkodra Sport” pranë tij mësohet se është vetë Hebaj që ka kërkuar mbylljen e bashkëpunimit me klubin durrsak.
Realisht, nga sa bëhet e ditur, kontrata mes Hebajt dhe klubit durrsak përfundon në fund të këtij viti, duke bërë që ai në janar të jetë futbollist i lirë. Në këtë mënyrë, ndeshja ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” ishte e fundit për Hebajn me fanellën e Teutës.
Edhe pas përballjes së djeshme në Shkodër, sulmuesi shkodran është përshëndetur me të gjithë shokët e ekipit dhe pjesëtarët e stafit, duke lënë të kuptohet që është drejt largimit nga Tueta.
Ndërkohë, sa i përket të ardhmes së tij, nuk dihet akoma se ku do të vijojë Hebaj, por ai tashmë është në kërkim të një ekipi të ri për të vazhduar karrierën. Ofertat ndaj tij nuk mungojnë, si brenda dhe jashtë vendit, por deri më tani asgjë nuk është vendosur përfundimisht.
Ajo që është pothuajse e sigurt është fakti që Hebaj do ta mbyllë me Teutën në këtë fundviti. Nga ana tjetër, ndoshta edhe Vllaznia mund të jetë si pistë ose si opsion për të ardhmen e tij. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet për t’u parë gjatë merkatos së janarit.
Ditën e sotme, Rubin Hebaj do të fluturojë së bashku me familjen e tij drejt Amerikës për të kaluar disa ditë pushimi dhe ndoshta pas kthimit në Shqipëri, do të mësohet destinacioni i tij për të ardhmen.
Realisht, tek Vllaznia, Hebaj do të bënte punë, duke marrë në konsideratë kur edhe klubi kuqeblu është në kërkim të një sulmuesi dhe shtalarti goleador, siç është futbollisti shkodran.
Maringlen ZHIVANI