Pas Krenar Zenelit, një tjetër fitore për boksierët shqiptarë në Europianin U-22 që po zhvillohet në Braila të Rumanisë. Pasditen e sotme, ka qenë boksieri shkodran Arjon Kajoshi ai që ka arritur të triumfojë ndaj kundërshtarit të tij me rezultatin e pastër 5-0. Vendimet e të pesë arbitrave të këtij takimi kanë qenë të gjitha në favor të tij sepse ndeshja është dominuar totalisht nga 19 vjeçari shqiptar që nuk i dha asnjë shans për fitore gjeorgjianit Konstatine Khvistani.

Me këtë fitore, Kajoshi ka siguruar të drejtën për të kaluar në tetëshen e boksierëve më të mirë të peshës 75 kg. Në turin tjetër, ai do të ketë përballë një boksier rus i cili është nga më të mirët e kontinentit në këtë peshë megjithatë Kajoshi do të tentojë sërish fitoren në ndeshjen që do të zhvillohet më datë 19 mars. Po këtë ditë, në ring do të jetë edhe boksieri tjetër i kombëtares tonë Zeneli i cili përballë do të ketë një kundërshtar nga Rumania dhe shanset për të janë më të mëdha që të shkojë në turin gjysmëfinal të këtij Europian. Dy fitoret e arritura deri tani nga këta dy boksierë natyrisht që janë një tregues i progresit që ka bërë ky sport në Shqipëri dhe nëse për të, do të ketë edhe pak më shumë vëmendje, normalisht që edhe medaljet nuk do të mungonin në kompeticionet e rëndësishme ndërkombëtare. Por në fakt kjo mund të ndodhë që në ndeshjet të cilat po zhvillohen tani në Rumani.

© shkodrasport.com