Ecuria e ekipit shkodran që nga fillimi i këtij viti e këtej është natyrisht shumë e mirë dhe kjo po demostrohet edhe në rezultatet e arritura. Vllaznia e basketbollit ka mundur së fundmi edhe Tiranën që konsiderohej pretendentja kryesore për titull. Kjo do të thotë se gara për titullin kampion pritet të jetë shumë e fortë dhe rivaliteti do të jetë në mes këtyre dy ekipeve. Por, burime pranë skuadrës kuqeblu bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që drejtuesit të sjellin edhe një lojtar tjetër si përforcim në ditët e ardhshme. Bëhet fjalë për një basketbollist që luan në pozicionin e qendrës, për të cilin Vllaznia duket se ka shumë nevojë. Kjo u pa qartë edhe në sfidën ndaj bardhebluve të pak ditëve më parë kur Hysenagollin, qendrën e Tiranës, nuk kishte kush ta bllokonte dhe ai ishte protagonist me lojën dhe koshat e tij poshtë tabelës. Për këtë, shkodranët do të tentojnë të bëjnë edhe një tjetër goditje në mënyrë që të gjejnë një lojtar të tillë. Natyrisht që synimi është për të gjetur një lojtar të huaj dhe kjo do të tentohet deri më 31 mars që është edhe afati i fundit i mbylljes së merkatos. Mbase ai mund të vijë sërish nga Amerika por edhe nga vendet e Rajonit. Kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme por nuk përjashtohet mundësia që dhe të mos vijë kush sepse varet nëse ka lojtarë të lirshëm në këtë periudhë apo nga kërkesat e tyre financiare. Gjithsesi deri në fund të muajit, Vllaznia do të jetë në tentativa për të bërë edhe një tjetër goditje në merkato.

© shkodrasport.com