Padyshim që mbrëmja e djeshme do të mbesë gjatë në kujtesën e çiftit Kalleshi, të mirënjohurve Faruk e Liljana Kalleshi. Ata janë rikthyer për disa orë në Shkodrën e tyre, për të marrë nderime të veçanta dhe ajo që është më kryesorja, duatrokitjet e publikut të dashur të këtij qyteti.

Ka qenë ceremonia e “Best 10 North” e cila është shfrytëzuar edhe për dorëzimin e titullit të lartë “Mjeshtër i Madh” zonjës Liljana Kalleshi, titull ky i akorduar pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta me motivacionin: “Për kontributin e saj të shquar dhe vlerat e veçanta artistike të demostruara në fushën e artit akrobatik, si dhe për rolin e spikatur në përgatitjen e brezave të rinj të akrobatëve shqiptarë”.

Për ta dorëzuar këtë titull i pranishëm në teatrin “Migjeni” ka qenë këshilltari i Presidentit për sportin, z. Leonard Tase. Ndërkohë nderimet për familjen Kalleshi nuk do të mungonin këtu.

Pak minuta më vonë është ngjitur në skenë edhe kampioni i padiskutueshëm i peshëngritjes- Faruku i cili është nderuar nga “Buna 1” me titullin “Mirënjohja”. Atë ia ka dorëzuar aktori i mirënjohur Bruno Shllaku i cili i ka emocionuar të pranishmit me fjalët e thëna për këtë kampion.
© shkodrasport.com