Vllaznia do presë në javën e 27-të të Superiores dhe që mbyll edhe fazën e tretë të kampionatit, ekipin e Bylis. Një duel që do luhet ditën e shtunë në orën 15:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Duel që pritet me interes nga tifozët kuqeblu, ku duan të shikojnë reagimin e ekipit pas pushimit.

Ku gjithashtu edhe ndërrimi i trajnerit pritet të jetë një kuriozitet për të shikuar nëse ka ndryshuar diçka tek ekipi. Por dueli ndaj mallakastriotëve nuk pritet aspak i lehtë. Kjo sepse ekipi i drejtuar tashmë nga Sensoi luan kartat e fundit për qëndrimin në Superiore në fund të edicionit. Me 28 pikë dhe në vendin e 9-të në renditje, Bylis është shumë i rrezikuar.

Me Kastriotin që duket se ka marrë rrugën për në Kategorinë e Parë në sezonin që vjen, Bylis kërkon që të mos i pasojë krutanët. E pikërisht mund të jetë Vllaznia që mund ti japë një goditje të fortë shpresave të ballshiotëve ditën e shtunë. Një disfatë në Shkodër do i komplikonte shumë punët për Bylis, që me siguri do ishte jashtë gare për mbijetesën.

Ballshiotët janë 5 pikë pas Laçit në vendin e tetë, pozicion që i përket Play Out. Pra, nuk rrëzohesh direkt nga Superliga. E duke parë formën e mirë të laçianëve në javët e fundit, Bylis do e ketë të vështirë ti afrohet kurbinasve në rast disfate. Patjetër që Vllaznia ka si objektiv fitoren për afrimin me kreun, e në mënyrë inderekte mund të jetë shumë vendimtare në fatet e Bylis.
Endri ÇINARI