Lojtarët e Vllaznisë ndodhen aktualisht në Shkodër. Djemtë kuqeblu mbërritën dje në qytetin e tyre, pas fazës përgatitore të zhvilluar jashtë Shqipërisë, pikërisht në Austri.

Atje Vllaznia pati një fazë përgatitore të suksesshme, duke fituar katër nga katër miqësoret e luajtura dhe në Shkodër u kthye pa asnjë dëmtim brenda radhëve të ekipit.

Dita e sotme me shumë gjasa do jetë pushim në kampin kuqeblu, për t’u kthyer më pas me seancat e plota stërvitore. Kështu duhet të ketë vendosur klubi kuqeblu pas fazës përgatitore të Austrisë, ku udhëtuan prej 29 qershorit.

Kujtojmë se Vllaznia luan më 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”, takimin e parë të vlefshëm për turin e dytë të Conference League kundër Craiovas. Ndeshja e kthimit luhet 1 javë më vonë në Rumani./newsport/