Erzeni ka zbritur më në fund në fushë. Dje, në prani të rreth 150 tifozëve shijakas në stadiumin “Tofik Jashari”, 16 futbollistë u vendosën nën urdhrat e Xhevahir Kapllanit, i cili tashmë rikthehet në Shijak si trajner, ndërsa dy dekada më parë ka qenë portier i Erzenit.

Nga lojtarët e sezonit të kaluar u paraqitën në këtë seancë të parë vetëm portieri Geris Neziri; mbrojtësit Dritmir Beci, Anteo Osmanllari, Myslim Ramilli dhe Ergi Goga; mesfushorët Xhuljo Mehmeti, Ersil Ymeri, Rejnaldo Troplini, Fadil Meta dhe Kevi Llanaj; si dhe sulmuesit Albi Xhabrahimi, Argel Avdiu, Gëzim Velaj dhe Ersi Kapo.

Risi në stërvitjen e parë të Erzenit mund të quhet mesfushori i ardhur nga Apolonia, Elvis Kovaçi. Ndërkohë, nuk ishte i pranishëm sulmuesi Mario Beshiraj, me të cilin klubi ka një akord dhe pritet në ditët në vijim t’i bashkohet skuadrës.

“Panorama Sport” zbulon se në seancën e parë ka qenë edhe mesfushori nga Mali i Zi, Radule Zivkoviç.

Ai nuk u stërvit me grupin, pasi pret të firmosë kontratën. Lojtari që luan në rolin e mesfushorit shkatërrues ka ardhur në Shijak dhe po bisedon me drejtuesit, teksa sot me shumë mundësi do të zbresë në fushë.

Bëhet fjalë për një 31-vjeçar me shumë eksperiencë, që vjen pas aktivizimit në Malin e Zi së fundmi me Deçiçin e Tuzit, ndërsa më parë ka luajtur me Buduçnostin e Podgoricës, FK Mlladost, OFK Titograd, Rudar Pljevlja dhe FK Podgorica.

Ndërkohë, klubi konfirmon për gazetën se ka arritur marrëveshjen edhe me mbrojtësin brazilian, Enk de Soza, i cili do të vazhdojë të qëndrojë tek Erzeni edhe në Superiore.

Drejtuesit i prenë dje biletën lojtarit dhe ai pritet të mbërrijë këto ditë në Shqipëri.

Vlen të theksohet se në seancën e parë, në krah të Kapllanit u shfaq Alfred Deliallisi, i cili do t’i jap fund futbollit të luajtur dhe tashmë do të vazhdojë si zv.trajner te skuadra shijakase.