Një inisitiavë shumë interesante ka ndërmarrë së fundi Federata Shqiptare e Çiklizmit.

Pas nderimit të bërë në vite për disa figura të shquara të këtij sporti në Shkodër si Agim Tafili, Muriqët etj, ka vendosur që sivjet të organizojë kupën me emrin e Brahim Sykës, një prej emrave më të shquar të historisë së këtij sporti në vendin tonë. Një inisiativë e tillë duhet përgëzuar sepse ishte kthyer në traditë organizimi i të tilla aktiviteteve vetëm pas vdekjes së këtyre figurave por në fakt gjërat duhet të ndryshojnë dhe ata duhen respektuar sa janë gjallë.Brahim Syka është një nga emrat më të spikatur të këtij sporti teksa në vitet ’80, bashkë me vëllezërit Tafili, patën shkruar historinë e çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar. Natyrisht që ai është një vlerë e madhe e kësaj Federate, e klubit Vllaznia dhe e Shkodrësë, pavarësisht se ndoshta vitet e fundit, ishte lënë disi në harresë. Organizimi i kupës me emrin e tij, në këtë mënyrë, është një vlerësim. Në këtë kupë do të marrin pjesë sportistët e të gjithë vendit. Ajo do të zhvillohet në dy ditë, të mërkurën dhe të enjten. Ditën e parë itinerari do jetë nga Tirana në drejtim të Shkodrës ndërsa në të dytën, çiklistët do nisen nga Shkodra në drejtim të Pukës e pastaj do kthehen sërish në Shkodër. Kupa përveçse Federatën Shqiptare të Çiklizmit ka si bashkëorganizatore edhe Bashkinë Shkodër dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
www.shkodrasport.com