Tifozët janë bërë një çështje në Vlorë. Herë për fajin e tyre dhe herë jo për fajin e tyre, klubi vlonjat është dënuar dhe gjobitur nga Komisioni i Disiplinës në FSHF. Administratori Sinan Idrizi shpesh ka kritikuar qëndrimin e tifozëve, duke kërkuar që ata të shmangin fyerjet e rënda dhe sharjet në kor për kundërshtarin. Për ndeshjen e së shtunës me Vllazninë ai ka vendosur që në tribunën qendrore të stadiumit, që ka pasur më parë shumë probleme të tilla, të ketë vetëm femra dhe nxënës shkollash.

Hyrja për këto kategori do të jetë falas. Por ky vendim duket se ka sjellë reagimin e ultrasve. “VIP SPORT” mëson se tifo-grupi më i madh i Flamurtarit, “Flota kuqezi”, ka vendosur ta bojkotojë ndeshjen me Vllazninë. Për momentin, ky është qëndrimi i tifozëve ultras vlonjatë, por duhet pritur deri ditën e ndeshjes çfarë do të ndodhë.