Në historinë 101 vjeçare të Vllaznisë kanë shkruar emrin e tij shumë futbollistë të mëdhenj të cilët me lojërat, golat dhe paraqitjet e tyre, kanë lënë mbresa tek tifozët e shumtë të saj.

Njëri prej tyre padyshim që ka qenë edhe një nga më të mëdhenjtë e Vllaznisë së viteve ’80, mesfushori Ferid Rragami. Në një prononcim të dhënë në lidhje me aktivizimin me këtë skuadër, ai do të shprehej:

“Ka qenë një kënaqësi e madhe të luaja futboll për Vllazninë. Të luaje me futbollistë të tillë si Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega etj. Realizova një ëndërr të vesh fanellën e kësaj skuadre të mirënjohur dhe u bëra një protagonist për të”.

Lojtari që është dalluar gjithmonë për grintën që shfaqte në fushën e lojës, jo më kot thirrej me pseudonimin “ujku” nga tifozët shkodranë. Ata e kanë dashur shumë, por edhe Rragami në fakt i ka dashur dhe për rrjedhojë edhe sot e kësaj dite ruan respekt për ta.

“Kam kontribuar për rreth 12 vjet me këtë skuadër (tre të tjera i kam patur me Partizanin dhe dy me Shkëndinë) dhe jam i lumtur për ato çfarë i kam dhënë kësaj skuadre, këtij qyteti dhe tifozëve të mrekullueshëm të tij”- thotë në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” ish- mesfushori i Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare Ferid Rragami./SHKODRA-SPORT.COM/