Lamtumira e Enzo Fernandezit nga Benfika vazhdon që të lërë skorie prapa, në Portugali.
Pas fjalëve të forta të Manuel Rui Kostës për lojtarin, “Nuk do të derdh lot për Enzon”, e përditshmja “Record” flet për një situatë shumë të tensionuar në tavolinën ku ishin prezent edhe dy presidentët e klubeve respektive.
Nëse argjentinasi kaloi vetëm në ditën e fundit te Çelsi për 121 milionë euro, arsyeja ishte darka e 3 janarit mes drejtuesve të të dyja klubeve, në një restorant Londër.
Rui Kosta dhe Benfika kishin udhëtuar për të marrë garancinë e pagesës së klauzolës, siç i ishte premtuar, por me të nisur darka, “bosi” i Çelsit, Ted Boehli, provoi “karremin”, duke prishur pazarin dhe ofroi vetëm 90 milionë për ta mbyllur që atë natë marrëveshjen.
Kjo ‘tallje’ nga ana e amerikanit bëri që Rui Kosta të çohej nervoz në këmbë dhe të kërcënonte Boehlin, aq sa për të shmangur grushtet mes tyre u desh ndërhyrja e stafeve që kishin marrë me vete.