Ka përfunduar me rezultatin 2-1 finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit. “Air Albania” pushtohet nga festa kuqeblu pas vërshëllimës së trefishtë të gjyqtarit. Janë dashur 120 minuta lojë për të përcaktuar fituesin e këtij trofeu, i cili në fund përfundon në duart e Vllaznisë.

Laçi kaloi i pari në avantazh, teksa në minutën e 4-t, Guindo shtang Zogoviçin me golin e tij. Megjithatë kuqeblutë nuk u dorëzuan për asnjë moment dhe kërkuan me ngulm golin, i cili erdhi në minutën e 17. Latifi u tregua i jashtëzakonshëm në krahë, nga ku dhuroi një asist perfekt për Hoxhajn. Ndërkohë goli i fitores do të vinte në minutën e 94-t, kur Adili shënoi një gol të çmendur nga distanca.

Një sukses i madh ky për Vllaznië, që me këtë fitore siguron edhe një biletë për në Kupat e Europës, objektiv të cilin nuk e mbërriti dot përmes kampionatit. Pas përfundimit të finales, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.

“Pavarësisht çdo gjëje, primare është fitimi i Kupës. Kemi qenë më kërkues se Vllaznia. Sigurisht që janë finale që vendosen nga episode të veçanta. Goli në shtesa ishte një goditje e mirë e Adilit, por ishte edhe një mospërqendrim i portierit. Ai gol vendosi ndeshjen.

Si lojë, kam mendimin që skuadra dha maksimumin. Por finalet janë të tilla që s’duhet të gabosh. Më ngeli pishman ai goli i dytë, sepse e shikoja Vllazninë që edhe në shtesa, edhe në pjesën e dytë, nuk e kishte rrezikshmërinë ndaj nesh”.