Flamurtari ka “ngecur” në merkato. Që pas prezantimit të afrikanëve Roland Zan Bi, Zana Amidou Silue dhe N’Goram Emmanuel Kouame, mungojnë afrimet e reja.

Flitet se dy brazilianë do t’i bashkohen grupit, por deri më tani nuk ka ndonjë zhvillim konkret. Më shqetësues duket reagimi i disa lojtarëve që janë përfolur se do të vijnë në Vlorë.

Por, “Panorama Sport” zbulon se klubet aktuale ku ata luajnë dhe mbyllën sezonin kanë vendosur “bllokadë”. Kjo gjë ka shqetësuar drejtuesit e klubit, por edhe vetë trajnerin Dritan Resuli.

SHUHET PISTA “MAZREKAJ”

Vlonjatët kërkonin me këmbëngulje Mentor Mazrekajn, por paraqitja e lojtarit me Laçin në Europa Konferencë Ligë ka bërë që drejtuesit të sigurojnë. Kurbinasit e kanë projektuar kapitenin edhe për sezonin e radhës.

Vlonjatët kërkojnë edhe Renato Malotën. E ndërsa për kosovarin shanset mund të jenë “zero”, për lezhjanin nuk mund të quhen të shuara.

Asnjë lajm të ri nga Kreshnik Uka. Kosovari “ka humbur”. Ai nuk është bërë aspak i gjallë edhe pse vlonjatët i kanë dorëzuar ofertën dhe presin një përgjigje. Mësohet se është Prishtina që ka bllokuar kosovarin të udhëtojë drejt Shqipërisë.

Por nuk ka asgjë të re edhe nga Redon Raza.

24-vjeçari i lindur në Dibër sezonin e ka mbyllur te Korabi. Flamurtari është në pritje të mesfushorit, por duket se as ai nuk po reagon, ndërsa nuk dihet se ku ka ngecur situata. Kujtojmë që pak ditë më parë, për gazetën, administratori Sinan Idrizi tha se pret edhe katër lojtarë të tjerë, ndërsa dy prej tyre i ka cilësuar si surpriza.

TESTI BRENDA GRUPIT

Flamurtari teston grupin. Kuqezinjtë kanë zhvilluar në fundjavë një test brenda vetes. Shpëtim Moçka dhe Ariol Kaloshi kanë mbrojtur portat respektive, ndërsa repartet e tjera kanë pësuar ndryshime gjatë gjithë lojës.

Kjo, pasi trajneri Resuli është kujdesur më shumë për të provuar reagimin dhe përshtatjen e të gjithë grupit sesa përcaktimin e një formacioni stabël. Tekniku vlonjat ka sjellë formacione miks me lojtarë titullarë dhe lojtarë të rinj, të bashkuar me ekipin.

Në këtë test është parë edhe reagimi i blerjeve të reja, si Ariol Kaloshi, Sokol Neziri, Roland Disha dhe afrikanët Roland Zan Bi, Zana Amidou Silue dhe N’Goram Emmanuel Kouame.

Në këtë test luajtën edhe lojtarët që kanë qenë pjesë e Flamurtarit edhe sezonin e kaluar, Andi Ribaj, Ditmar Bicaj, Lejdi Liçaj, Behar Ramadani, Denis Pjeshka, Gersi Diamanti, Olsi Gocaj, Indio Oliviera e Mateo Qarri, të cilët kanë ndryshuar gjatë 90 minutave shpeshherë formacionet dhe rolet. Minuta kanë marrë edhe lojtarët e akademisë së Flamurtarit. Duket se trajneri Resuli ka dalë i kënaqur nga reagimi i futbollistëve në këtë test.