Flamurtari bën marrëveshje edhe me tre lojtarë shkodranë për borxhet. Klubi ka nisur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ndërsa duket se radha u ka ardhur edhe tre ish-futbollistëve shkodranë që kanë qenë te Flamurtari dy sezone më parë.

Bëhet fjalë për Xhevahir Sukajn, Olsi Gocajn dhe Denis Pjeshkën.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht për “Panorama Sport” nga burime pranë klubit vlonjat.

Gazeta mëson se Gocaj dhe Pjeshka kanë qenë dy ditë më parë në Vlorë, ku janë takuar me administratorin Sinan Idrizi.

DETYRIMET – Deri më tani Flamurtari ka shlyer detyrimet dhe ka arritur marrëveshjen me disa ish-lojtarë për pagesat e prapambetura. Kanë filluar pagesat për Muhamed Useinin, Elton Kalenë, Goran Siljanovskin, Agustin Torasën, Artim Pollozhanin, Danilo Alveshin, Kristian Sirgin dhe Tomislav Bushiçin.

Aty ku detyrimet kanë qenë në vlera të vogla, ish-lojtarët janë shlyer totalisht, ndërsa për borxhe të mëdha është arritur marrëveshja me këste.