Për Gentjan Alinanin, komentatorin e “OverSport”, Klasikja e Shqipërisë Vllaznia-Tirana, që do të luhet të dielën, është një nga ndeshjet me të veçanta dhe më të bukura të kampionatit shqiptar. Një gjë e tillë thuhet pasi emocionet natyrshëm që janë të pranishme tek çdokush në Klasikën e futbolit shqiptar, jo vetëm tek tifozët, por edhe tek gazetarët dhe komentatorët sportiv.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Alinani thotë se nuk mund të bëjë parashikime, por shton se spektakli padyshim nuk do të mungojë, ashtu siç ndodhi në dy ndeshjet e fazës së parë, kur ai ishte në komentin e Klasikes së Shqipërisë.
Po ashtu ndër të tjera, gazetari dhe komentatori i “OverSport” u shpreh se hapat fals nuk lejohen, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet, ndërsa theksoi se Vllaznia garancinë e saj e ka në repartin e mesfushës. Për më tepër, mund të lexoni intervistën e tij dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.
“Nisur nga fakti që dy ndeshjet e fazës së parë mes Tiranës dhe Vllaznisë kanë qenë nga më të bukurat e kampionatit, edhe e treta do të jetë e tillë. Klasikja është një sfidë më vete, ashtu si derbi i kryeqytetit. Këtë herë ka një specifikë ndryshe, sepse koha po kalon dhe hapat fals nuk lejohen. Është ndeshje e rëndësishme shumë, por ka ende javë dhe gjithçka mund të ndodhë në këtë kampionat të paparashikueshëm. Skuadrat vijnë në formë të mirë dhe nga fitoret në javët e fundit, ç’ka është një sinjal i mirë për spektaklin e klasikes.
Realisht, është shumë e vështirë të bësh parashikime. Mbetet për t’u parë edhe nga futbollistët që do të ketë në dispozicion çdo trajner për këtë duel, qoftë trajneri Josa, qoftë trajneri Shehi. Tiranës tashmë i mungon Aleksi për shkak të kartonëve dhe Shehi nuk do të ketë një element shumë të rëndësishëm. Te Vllaznia tashmë dihen mungesat në mbrojtje, por garancia ka ardhur nga mesfusha.
Për momentin, ky repart është më i konsoliduar, nisur edhe nga mungesa e Aleksit dhe nga fakti që Lushkja nuk është ende në 100%. Marku-Alivoda dhe Jonuzi plotësojnë në mënyrë perfekte njëri-tjetrin. Vllaznia ka me vete faktin që ka një fitore dhe një barazim ndaj Tiranës, ndërsa këta të fundit kanë fituar Superkupën e Shqipërisë.
Shkodra e dashuron futbollin dhe aty nuk përjetohet vetëm ndeshja me Tiranën, por pothuajse të gjitha. Kjo gjë është pozitive për të karikuar ekipin, por ndonjëherë mund të përkthehet edhe në presion. Megjithatë, unë mendoj se titullin kampion e fitojnë skuadrat që dinë të përballojnë edhe presione të tilla. Klasikja është si një finale dhe finalet nuk luhen, por fitohen.
Sigurisht që, një fitore e Vllaznisë e bën kampionatin më interesant dhe nuk lejon Tiranën të shkëputet nga ndjekësit. Patjetër që rikthen entuziazmin në kampin shkodran. Do të sillte më shumë besim në ekip dhe përgjigjet që trajneri Josa pret se skuadra është aty dhe nuk trembet nga sfidat e mëdha të këtij sezoni.
Nisur nga pozicioni aktual si një prej komentatorëve të kampionatit shqiptar, nuk mund të bëj parashikime ose nëse i kam në mendje nuk i ndaj me askënd. Shpresoj të ketë spektakël ashtu si në ndeshjet e para, ku unë kam pasur fatin t’i komentoj të dyja.
Sigurisht që, Vllaznia do të jetë aty deri në fundin e sezonit për titullin kampion, nëse arrin të shërojë plagën e madhe që është mungesa e vazhdimësisë dhe hapat fals atëherë kur të gjithë presin atë hapin e madh prej kampioni, sepse kampionati nuk fitohet në ndeshjet e mëdha, por më së shumti ndaj skuadrave të vogla në letër, që çuditërisht këtë sezon nuk janë të shumta”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, gazetari dhe komentatori i “OverSport”, Gentjan Alinani.
Maringlen ZHIVANI