Vllaznia-Tirana është një sfidë vendimtare për ecurinë e Superiores. Do të sfidohen 2 skuadra që kanë në gjirin e saj kampionë dhe lojtarë të rëndësishëm. Por kush do t’i fitonte duelet kokë më kokë mes lojtarëve. Sigurisht që kjo është diçka subjektive, por ne po guxojmë ta bëjmë këtë krahasim.
Zogovic-Bekaj/ Dueli në distancë mes dy portierëve do të jetë shumë interesant. Nga një anë gardiani i Vllaznisë që është konstant dhe ofron garanci, ndërsa në anën tjetër numri një i Tiranës që bën pritje vendimtare herë pas here dhe rezulton vendimtar. Bekaj është portieri që ka pësuar më pak gola, për këtë arsye e fiton ai sfidën.
Smajli-Toshevski/ Mbrojtësi i Vllaznisë është një nga zbulimet e këtij sezoni dhe në rritje konstante nga ndeshja në ndeshje. Ai i Tiranës është më vendimtar edhe për shkak të eksperiencës, por ka pasur ulje-ngritje për shkak të dëmtimeve. Të dy kanë luajtur 13 ndeshje duke dhënë përkatësisht 1 dhe dy asiste. Sfida është barazim.
Shehi-Najdovski/ Mbrojtësi i Vllaznisë bëri një paraqitje mjaft të mirë ndaj Kukësit dhe konfirmoi që Josa mund të ketë besim tek ai, por kapiteni i Tiranës ofron më shumë garanci në tërësi gjatë një ndeshjeje. Di të impostojë lojën dhe është një armë shumë për Tiranën. Fiton Najdovski.
Gurishta-Behiratche/ Kapiteni shkodran është duke bërë një nga sezonet më të mira të karrierës. Mund ta aktivizosh kudo në fushë dhe ai sërish do të japë gjithçka. Edhe si qendërmbrojtës po bën mjaft mirë. Behiratche në këtë sezon është penalizuar shumë nga dëmtimet, për këtë arsye duelin e fiton Gurishta.
Hakaj-Përgjoni/ Esin Hakaj po bën mjaft mirë këtë vit që nga fillimi dhe deri tani. Edhe pse ka pasur ndalesa për shkak të dëmtimeve. Në anën tjetër, Përgjoni në javët e fundit është çliruar duke bërë performanca të shkëlqyera si në mbrojtje, por edhe në portë në ndeshjen kundër Egnatias. Barazim.
Alivoda-Deliu/ Një tjetër surprizë e bukur për shkodranët është djaloshi Rejan Alivoda. Ka marrë çelësat e mesfushës dhe po udhëheq formacionin e Mirel Josës. Në anën tjetër, Deliu është një lojtar shumë punëtor dhe i rëndësishëm për formacionin bardheblu. Duhet të bëjë një rol që nuk është i tiji për shkak të pezullimit të Aleksit. Barazim.
Marku-Lushkja/ Herald Marku me 5 gola ka rezultuar vendimtar në ekipin shkodran, ndërsa Regi Lushkja është zhbllokuar në Kupë dhe të gjithë po presin golin e parë në kampionat. Dhe në pritje të Lushkjes më të mirë që të gjithë e njohin, për momentin duelin e fiton mesfushori i Vllaznisë.
Jonuzi-Hila/ Fjoard Jonuzi është një tjetër lider i mesfushës së Vllaznisë. Është shndërruar në një sulmues të fshehur, një lojtar që ruan ekuilibrat dhe që punon shumë. Hila gjithashtu është sakrifikuar në shumë pozicione në mesfushë dhe gjithmonë e bën detyrën e tij, por Jonuzi e fiton duelin me golat.
Hoxhaj-Hasani/ Një tjetër duel interesant në krahët e sulmit është ai mes Ardit Hoxhajt dhe Florent Hasanit. Në pritje që ky i fundit të rikuperohet dhe të jetë gati për të luajtur, e nis më i avantazhuar sesa sulmuesi i Vllaznisë për golat e shënuar. Ky i fundit kujdeset më shumë për mbrojtjen, ndërsa i Tiranës më shumë për sulmin. Fiton Hasani.
Mala-Patrick/ Pavarësisht rëndësisë që kanë të dy lojtarët në skuadrat e tyre, sulmuesi i Tiranës ka me vete statistikat në këtë duel. 6 gola të realizuar nga sulmuesi i bardhebluve, ndërsa Mala është më prezent në ruajtjen e ekuilibrit, sakrificës dhe punës. Fiton Patrick
Balaj-Nikqi/ Dueli mes të vjetrit dhe të riut, atij që ka eksperiencë dhe atij që ka shpërthimet djaloshare. Bekim Balaj është në kërkim të golit të parë në rikthimin e tij në Shqipëri, ndërsa Niqki e ka shënuar një. Megjithatë për rolin në fushë, për liderin dhe figurën që është, Balaj e fiton këtë duel. /oversport.