Teksa Tërbuni vijon përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Dytë, ku synimi do të jetë ngjitja, për gazetën është prononcuar drejtori teknik i pukjanëve, Alfred Pjetri:

“Kam veshur fanellën e Tërbunit në vitin 1977 deri në vitin 1990. Këtë sezon do të kontribuoj sërish për ekipin e vendlindjes sime. Një falënderim shkon për presidentin e Tërbunit, Rrok Doda, që ma mundësoi këtë. Për sezonin e ri po bëjmë të pamundurën që të afrojmë lojtarë cilësorë.

Sytë i kemi hedhur ndërkohë nga tregu i huaj prej nga duam të afrojmë të paktën katër lojtarë cilësorë, që të bëjnë diferencë në këtë kategori. Në ndihmë ekipit do t’i vijë deputeti i kësaj zone, Lodevik Hasani.

Biznesmenët pukjanë që jetojnë në Tiranë kanë shprehur dëshirën për t’i ardhur në ndihmë Tërbunit. Petrit Syla, ish-president i Tërbunit, ka konfirmuar se do të japë kontributin e tij për ekipin”, përfundoi drejtori Pjetri.