Marash Kumbulla është padyshim shqiptari më i përmendur në këtë merkato janari. Emri i mbrojtësit të Veronës ka përfunduar në listat e shumë klubeve të mëdha jo vetëm të Serisë A si Fiorentina, Napoli, Lacio dhe Inter, por edhe në ato të Mançester Junajtid, Çelsi, Eintraht Frankfurt etj… Së fundmi, në lidhje me mbrojtësin e Kombëtares kuqezi ka folur edhe ish-trajneri i tij i Primaverës te Verona, Masimo Pavanel.

Tekniku e ka vlerësuar 19-vjeçarin për mentalitetin e tij në fushë, ndërsa thekson se Kumbulla ngjason me një veteran për nga maturia. “Nga pikëpamja ime, e dhëna e tij kryesore është maturia pavarësisht moshës. Marashi është një djalosh me mend dhe mbi të gjitha me një mentalitet të madh.

Ai ka një përqendrim të lartë si në minutën e 95 të ndeshjes, ashtu si edhe në të gjithë stërvitjet e javës. Nga ana mentale është impresionues. Ai gjithnjë ka pasur këtë staturën e madhe, ndaj edhe te ekipi i Primaveras ka luajtur nën moshë.

Duhet vetëm të përmirësohet në ekuilibrin në lidhje me lartësinë, por ky është një problem i largët”. Luan më mirë në mbrojtjen me 3 apo me 4? “Ai ia del të bëj mirë në të dyja opsionet.

Gjithashtu besoj se mbrojtësi duhet të jetë i kompletuar. Nuk mund t’i ndajmë më nëse luan me 3 apo me 4. Tashmë, Juriç e ka zhvendosur atë në të majtë dhe ai ka bërë mirë si gjithnjë. Ngjason tamam me një veteran”, u shpreh Pavanel. /VipSport/