Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Ish-trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, është rikthyer në Shkodër, por këtë herë si kundërshtar në pankinën e Malishevës, për sfidën e turit të parë kualifikues të UEFA Conference League ndaj kuqebluve. Gjermani u shpreh me vlerësime për ish-klubin e tij, por njëkohësisht deklaroi se beson te kualifikimi i skuadrës kosovare, pasi e konsideron atë më të fortë.
“Kemi bërë një përgatitje të mirë dhe besoj se jemi të gatshëm për ndeshjen ndaj Vllaznisë. Vllaznia e ka merituar të jetë në Conference League, por gjithashtu edhe Malisheva. Është kompeticion i fortë dhe ne do të luftojmë për të kaluar në raundin tjetër. E kam ndjekur Vllazninë dhe më erdhi shumë keq që Vllaznia nuk e fitoi titullin. Unë e njoh ambientin këtu dhe iu kam folur futbollistëve. Unë skuadrën e Vllaznisë e njoh mjaft mirë përgjithësisht dhe me punën që po bëjmë te Malisheva, them se do ia dalim.
Në fund të ditës, me gjithë rrespektin për Vllazninë, ne do të tregojmë që jemi ekip më i mirë. E di potencialin e skuadrës time. Kemi marrë disa futbollistë të mirë dhe tani duam të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë në përballjen me Vllazninë. Vllaznia ka një trajner të madh si Edi Martini dhe do të jetë një luftë kjo ndeshje mes skuadrave.
E kemi analizuar Vllazninë dhe i njohim mirë ata. Megjithatë, ende nuk e dijmë se si ata do të luajnë. Unë e di që trajneri Martini do ta përgatisë në maksimum ekipin e Vllaznisë. Megjithatë, edhe unë do ta përgatis ekipin në 100%, që të jemi të gjithë të gatshëm për ndeshjen. Le të luajmë dhe ta shohim kush do ta fitojë ndeshjen.”
Në konferencën për shtyp, Brdariç foli me respekt dhe mirënjohje për Vllazninë dhe qytetin e Shkodrës, duke theksuar se rikthimi në “Loro Boriçi” ka një domethënie të veçantë për të.
“Më kishte marrë malli për Shkodrën dhe për Vllazninë. Shkodra është një vend ku kam kaluar shumë mirë dhe momente shumë të mira. Ndihem sikur të jem në shtëpinë time të dytë. Tani, jam këtu si kundërshtar. Kam shumë rrespekt për Vllazninë, pasi është një klub me shumë traditë. E di çfarë emri të madh ka Vllaznia.”
Vllaznia dhe Malisheva përballen mbrëmjen e 9 korrikut në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.


