Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, dhe ortaku i tij, Kristjan Gjidodaj, ashtu siç gazeta kishte njoftuar, bënë pardje një mbledhje me skuadrën.

Kjo mbledhje ishte kërkuar nga kreu i klubit pas humbjes në Burrel, por nuk bëhet fjalë për marrje masash ndaj futbollistëve. Blutë vazhdojnë të kryesojnë renditjen dhe mbledhja e djeshme kishte më tepër karakter motivues nga dy drejtuesit kryesorë të klubit kryeqytetas, në mënyrë që Dinamo të kthehet te fitorja që të dielën ndaj Tomorit.

Po ashtu, është kërkuar nga skuadra që të mos bëhen më gabime deri në fund të garës dhe për ta siguruar me qetësi të plotë rikthimin në Superiore.

SITUATA – Java e 17-të e kampionatit e vë Dinamon përballë Tomorit. Ndeshja luhet të dielën, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku blutë kanë lënë pikë vetëm me Flamurtarin dhe Skënderbeun.

Këtë herë, duke pasur parasysh edhe momentin delikat pas humbjes në Burrel, që e ka çuar diferencën me vendin e dytë në vetëm një pikë, kryeqytetasit nuk mund të gabojnë kurrsesi. Trajneri Nevil Dede ka përsëri mungesa, siç janë ato të Smaçit, Bardhit dhe Gjonit, por nuk ka asnjë justifikim. Është një nga ato ndeshje që duhet fituar patjetër nga Dinamo.

DANAJ – Redon Danaj ka lënë pas dëmtimin e pësuar në Orikum dhe pritet që ndeshjen e së dielës ta nisë nga minuta e parë. Futbollisti lezhjan shënoi në barazimin 1-1 të fazës së parë në Berat, por edhe me fanellën e Besëlidhjes i ka shënuar dy herë këtij kundërshtari.

“Dinamo vjen pas asaj humbjeje në Burrel, ku skuadra nuk tregoi vlerat e saj, por ndikuan edhe shumë faktorë të tjerë, si fusha dhe mungesat. Megjithatë, nuk ka justifikime tani. Ndeshja me Tomorin është shumë e rëndësishme dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Duhet të japim gjithçka në fushë për t’u kthyer menjëherë te fitorja.

Mendoj se e kemi vetë në dorë, nuk na falet të gabojmë tani e tutje. Gol me Tomorin si fazën e parë? Shpresoj, sepse ndaj tyre më ka ecur në fakt, kam shënuar 3 gola bashkë me sezonin e kaluar, por dua të theksoj se rëndësi ka që të fitojë Dinamo dhe të konsolidojmë sa më parë pozitat tona në krye të renditjes”, është shprehur Danaj për “Panorama Sport”.