Ka bërë një sezon të shkëlqyer duke qenë ndër shënuesit më të mirë të kampionatit U19 dhe jo më kot prej disa kohësh mori pjesë për të qenë pjesë e Kombëtares U20 në seleksionimet e bëra prej saj. Paraqitjet e mira të bëra në to duket se kanë bindur stafin teknik dhe trajnerin Biturku për ta patur në qendër të vëmendjes sulmuesin shkodran Mehdi Çoba.

Duke qenë pjesë e ekipit AAS, numri 9 i tij ka bërë një performancë të mirë dhe premton të bëjë të njëjtën gjë edhe me kombëtaren U20 në miqësoren që ajo do të zhvillojë muajin e ardhshëm në Paris ndaj Katarit.

Në fakt mbiemri “Çoba” e ka një traditë në futboll. Gjyshi i tij- Ruzhdiu ka qenë sulmuesi i Vllaznisë në vitet ’40 kur ajo shpallej kampione e Shqipërisë dhe madje me golin e tij do të “vuloste” titullin kampion të vitit 1946.

Sot i nipi, që gjithçka ia dedikon gjyshit, ka ëndrra dhe ambicje të mëdha në karrierën e tij dhe ato i bën publike edhe në këtë intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”:

-Çoba keni marrë një ftesë nga stafi i kombëtares U20 për të qenë pjesë e saj në miqësoren e muajit të ardhshëm ndaj Katarit. Si e pritët këtë ftesë?

-Jam shumë i lumtur për ftesën që kam marrë dhe ndihem krenar që do të përfaqësoj kombëtaren shqiptare në këtë ndeshje miqësore. Do të mundohem të jap maksimumin për fanellën kuqezi.

-Jeni ndër sulmuesit më të mirë të kampionatit U19 teksa keni arritur të shënoni plot 18 gola deri tani. Si ia keni dalë?

-Ia kam dalë me ndihmën e shokëve të ekipit të AAS dhe punës së palodhshme të trajnerit Meçenovi. Padyshim që është kënaqësi të shënosh kaq shumë gola sepse në fund të fundit, kjo është detyra e çdo sulmuesi.

-Ky është viti juaj i fundit me AAS U19, cilat janë objektivat tuaja për sezonin e ardhshëm?

-Për momentin jam i fokusuar në mbylljen sa më mirë të sezonit aktual, për në vazhdim nuk mund të flas më tepër. Kam disa oferta konkrete por do të vendos me kujdes për të ardhmen.

-Kujt ia dedikoni këtë çfarë keni arritur deri tani në karrierën tuaj?

-Gjithçka ia dedikoj familjes me mbiemrin “Çoba” dhe veçanërisht gjyshit tim të ndjerë Ruzhdi Çoba i cili ka luajtur me Vllazninë dhe është shpallur kampion me të në vitin 1946.
© shkodrasport.com