Tekniku Sedloski do të ketë një forcë më shumë për takimin e së dielës ndaj Partizanit, nisur nga përballja e fundit me Teutën. Ai do të ketë të gatshëm për këtë sfidë mbrojtësin e qendrës, Marko Juriç, i cili vjen pas pezullimit me kartonë, që e detyroi të mos luante me Teutën.

Kjo mund të bëjë që të ketë ndonjë lëvizje edhe në formacionin e parë. Me shumë gjasa pritet që katërshja e mbrojtjes të jetë e formatuar me Krujën nga e djathta, Juriç e Bulatoviç në qendër dhe kapitenin Hakaj nga e majta.

Në mesin e fushës pritet që të luajë treshja Jonuzi, Marku dhe Boshnjaku. Ky i fundit do të jetë në dyshim deri në orët para ndeshjes, pasi ka ndier shqetësime fizike. Nëse ai nuk luan, në fushë pritet Alivoda.

Në treshen e sulmit nuk pritet që të ketë ndonjë lëvizje, ku Çoba dhe Latifi do të mbështesin nga krahët Balajn.