Dy personazhet e kësaj fotoje janë pjesa më e rëndësishme ndoshta e mundjes shkodrane. Secili prej tyre është sportisti që ka fituar më shumë tituj, si në mundjen klasike ashtu edhe në atë të lirën. E kemi fjalën për Rrok Bardelin dhe Seit Fishtën që sëbashku kanë fituar plot 19 tituj kampionë.

Njëri prej tyre është mundësi më i titulluar me trofe tek ekipi i Vllaznisë në mundjen e lirë, pikërisht Rrok Bardeli. Ai ka fituar plot 10 herë titullin kampion si individ, pikërisht në vitet 1978, 1979, 1981, 1982, 1983, 1984, 1985, 1986, 1987 dhe 1988.

Tjetri- Seit Fishta është një nga emrat më të njohur të mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare. Ka fituar plot 9 herë titullin kampion në mundjen klasike duke përfaqësuar me dinjitet ekipin e Vllaznisë. Titujt kampion të tij janë fituar respektivisht në vitet 1982, 1983, 1984, 1986, 1987, 1988, 1989 dhe 1990.

Nuk po permendim ketu kontributin e jashtezakonshem qe keta dy sportiste kane dhene per ekipin e Vllaznise ne fitimin e titujve kampione, Kupave te Republikes dhe finaleve te Spartakiades Kombetare.

Emra të tillë padyshim që i bëjnë nder Sportklub Vllaznisë dhe Shkodrës sepse i kanë dhënë shumë atyre. Jo më kot, pak ditë më parë u nderuan me titullin “Mirënjohje” nga Bashkia e këtij qyteti.

Rrok Bardeli dhe Seit Fishta kanë qenë ndër spotistët më elitarë të vendit në vitet ’80 në sportin e mundjes dhe kjo i ka bërë që edhe sot e kësaj dite të jenë mjaft të respektuar si në komunitetin sportiv por edhe më tej.
© shkodrasport.com