Sinjale pozitive nga ana e dy biznesmenëve për marrjen e Vllaznisë. Bëhet fjalë për Tom Doshin dhe Mark Frrokun që njëkohësisht janë edhe deputetë të Parlamentit shqiptar. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Frroku që njëkohësisht është një nga donatorët e klubit të Tërbunit të Pukës. Ai ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës në studion e TV1 Channel në Shkodër dhe është shprehur: “Sëbashku me deputetin Tom Doshi kemi shfaqur interes për ta marrë drejtimin e Vllaznisë dhe mund ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë gjë. Jemi në gjendje të ndërtojmë një ekip pretendent për titullin kampion”.


Kaq ka thënë ai. Ndoshta duke e kaluar topin në anën e Bashkisë Shkodër. Por në fakt vështirë të ndodhë kjo rrokadë sepse siç dihet të dy këta deputetë janë kundërshtarë politikë me drejtuesit aktual të klubit shkodran. Për më tepër që edhe pak kohë më parë u hap fjala sikur gjoja deputeti Doshi ka hedhur 100 mijë euro për të shpëtuar Vllazninë por në fakt nuk rezultoi asgjë e vërtetë. Mbase mund të jetë një luftë mediatike. Ndoshta edhe diçka më shumë por për momentin rezulton të jetë vetëm kështu.
© shkodrasport.com