Dritë jeshile për ri fillimin e stërvitjeve dhe kampionatit shqiptar brenda muajit maj. Shqipëria merr shembullin e Italisë, por e kopjon keq, pasi nuk jep një datë për stërvitjet në grup, por vetëm për atë individuale. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, konfirmoi dje në mbrëmje se do të lejohet stërvitja e sportistëve prej datës 18 maj.

Edhe pse ajo specifikoi frazën “stërvitje individuale”, kjo mjafton që skuadrat e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë në futbollin shqiptar të zbresin në fushë, duke respektuar kështu protokollin e masave të sigurisë kundër përhapjes së Koronavirusit. “Prej të hënës së datës 18 maj do të lejohen stërvitjet individuale të sportistëve në ambiente të hapura.

Nga ana tjetër, do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Po kështu do të vijojë të mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve për më shumë se 5 persona në ambientet publike, si dhe do të mbetet i mbyllur edhe transporti publik”, është shprehur ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

DETAJET PËR KALENDARIN E RI DHE KUPËN

“Panorama Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta në FSHF se sektori i garave ka bërë plane që Superiorja të rinisë më 31 maj. Kjo datë është për rastin më të mirë, gjithnjë nëse gjërat shkojnë ashtu siç janë parashikuar dhe klubet pranojnë që të kenë vetëm 12 ditë kohë për t’u përgatitur. Natyrisht, problemi i vetëm në këtë rast është se autoritetet shëndetësore nuk lejojnë përgatitjet në grup, por kjo varet sa do të zbatohet nga skuadrat.

Për t’i paraprirë gjithçkaje, sektori i garave në FSHF ka përpiluar një kalendar të ri për kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Gazeta ka mundur të sigurojë të gjitha datat, ku parashikohet rifillimi i Superiores me javën e 27-të më 31 maj dhe mbyllja e kampionatit me javën e 36-t më 29 korrik.