Ndonëse prej disa javësh FSHF ka nisur kontaktet me persona të ndryshëm për të gjetur një alternativë për Kristian Panuçin, institucioni i futbollit insiston se po punohet me trajnerin italian dhe planifikon me të të ardhmen kuqezi.

Prej më shumë se tre javësh, ka nisur kërkimi i një alternative të besueshme për të zëvendësuar Panuçin, i cili mbijetoi në stolin kuqezi mënyrë të papritur pas ndeshjes me Uellsin. Skautë apo menaxherë të ndryshëm kanë paraqitur alternativat e tyre për teknikun që do të zëvendësonte italianin në stol duke e menduar të larguar.

Por Duka vendosi të mbante në detyrë Panuçin dhe tashmë, institucioni i futbollit nëpërmjet një komunikate për shtyp ka hedhur poshtë të gjiehë zërat se ishte vënë në kërkim yë një zëvendësuesi.

“Nisur nga disa spekulime dhe lajme abuzive që kanë qarkulluar në disa media orët e fundit, Federata Shqiptare e Futbollin dëshiron t’iu informojë se nuk është aspak e vërtetë që jemi në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit.

FSHF është duke punuar dhe bashkëpunuar maksimalisht me trajnerin Panuçi për të arritur rezultate sa më të larta në kualifikueset për Kampionatin Europian 2020”, shkruhet në një komunikatë për shtyp të publikuar sot nga FSHF që duhet t’i japë pak qetësi italianit… të paktën deri në mars kur të fillojnë eliminatoret. /vipsport/