Vetëm 5 pikë në 6 javë, humbje në shtëpi me Teutën, humbje me Laçin dhe së fundi humbje me Kamzën. Situata te Vllaznia nuk është aspak e mirë, edhe pse për këtë sezon u mendua gjithçka ndryshe, pas afrimit të disa lojtarëve shkodranë me shumë përvojë si Gilman Lika, Edon Hasani dhe Erjon Vucaj. Skuadra nuk po arrin të shprehet si duhet, duke vuajtur në sulm, por edhe psikologjikisht.Pas humbjes së fundit me Kamzën shumëkush mund të mendojë se tashmë me siguri do të ketë ndonjë “furtunë” masash te Vllaznia, përderisa skuadra nuk po përgjigjet me rezultate në fushë.

Nuk e mendon kështu situatën administratori i klubit shkodran, Astrit Gjyrezi, i cili ka pohuar për “VIP SPORT” se Vllaznia ka nevojë për të gjetur ekuilibrin dhe për të ecur përpara, jo për një “dorë të hekurt”, që mund ta përkeqësonte të ardhmen.
“Nuk jemi aty ku duhet, është e qartë, sepse flasin vetë rezultatet. Por nuk duhet të mendojmë se duke vepruar me masa a ndëshkime do t’i rregullojmë punët. Skuadra ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve për të vrarë frikën dhe për të ecur përpara. Kjo është e rëndësishme për Vllazninë në këtë moment.

Nuk zgjidhet problemi me “dorë të fortë”. Eshtë e domosdoshme që të gjejmë një ekuilibër dhe të ecim përpara, duke nisur nga ndeshja e radhës me Partizanin. Kemi një analizë, por nuk po medojmë për masa. Djemtë nuk kanë qenë aty ku duhet, por duhen inkurajuar dhe kam besim se ata do të reagojnë, pasi e kanë potencialin. Me rifitimin e sigurisë nga lojtarët edhe skuadra do të shprehet më mirë”, – sqaron drejtuesi i klubit shkodran, duke hedhur poshtë hipotezën e masave ndëshkuese për futbollistët dhe stafin teknik pas humbjes në Kamzë, që e ka lanë Vllazninë shumë prapa me pikë.

Administratori Gjyrezi komentoi edhe çështjen e privatizimit dhe lajmin për ofertën turke për Vllazninë. “Për privatimin sipas procedurave jemi të hapur prej kohësh. Për ofertën turke nuk kam asnjë informacion për momentin dhe nuk di çfarë të them.”