Vetëm ndjesa publike nga autoritetet franceze sportive e jo vetëm, nuk do të mjaftojë për Francën. UEFA ka vendosur që të hapë procedim disiplinor ndaj Federatës Franceze të Futbollit për çorganizimin para ndeshjes me Shqipërinë, ku u ngatërrua himni në fillimin e takimit e si rrjedhojë, u vonua fillimi i sfidës së eliminatoreve të Euro 2020.

Situata absurde në Paris u zgjidh pas 10 minutash pritje, derisa u gjend himni i duhur dhe u dëgjua në foninë e stadiumit. Por kjo nuk mjafton për UEFA-n.

FILE – This is a Tuesday, Dec. 2, 2014 file photo of a UEFA sign pictured at the UEFA Headquarters in Nyon, Switzerland. UEFA said Wednesday April; 6, 2016 that it has been raided by Swiss police and has handed over evidence of a Champions League television rights contract with an offshore marketing agency implicated in the FIFA bribery scandal. (,Jean-Christophe Bott, Keystone File, via AP)

Ndërkombëtarët kanë nisur hetimin për këtë rast, duke vendosur Francën në bankën e të akuzuarve pasi nuk ka marrë masat e duhura për organizimin e duelit.

Normalisht, për ngjarje të tilla kur nuk janë përsëritëse apo vonesa ndeshjesh që janë rutinë, palët mjaftohen me një paralajmërim. Por meqë ngjarja u bë shumë publike, duke bërë xhiron e botës, pritet që Franca të ndëshkohet me gjobë.

Kjo, pasi momenti u riprodhua dhe u shpërnda ne shpejtësi nga mediat në të gjithë botën, duke krijuar dëm imazhi edhe për kompeticionin. Vendimi pritet të merret në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës të UEFA-s më datë 13 tetor. /vipsport/