Pas shkarkimit të Franko Lerdës Partizani u drejtua me staf provizor. Renaldo Kalari dhe Genc Tomori drejtuan kampionët në dy ndeshjet e fundit dhe me fitoren që arritën ndaj Vllaznisë u rikthye qetësia në kampin e kuq dhe tashmë drejtuesit kanë kohën e nevojshme për të vendosur për vazhdimësinë.

Genc Tomori, drejtori i akademisë së Partizanit, gjithmonë ka qenë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij për të kuqtë edhe në situata jo të favorshme.

Kontributi i dyshes Kalari-Tomori quhet i mbyllur me sukses pas fitores me Vllazninë, duke i hapur rrugën klubit për gjetjen e pasuesit të Lerdës. “Trepikëshi me Vllazninë ishte i domosdoshëm për situatën ku ndodheshim.

Në këto kushte konsiderohet një fitore qetësie për Partizanin, por edhe si një sukses që u jep kohën e mjaftueshme drejtuesve të klubit për të vendosur për të ardhmen”, u shpreh Genc Tomori për “Panorma Sport” pas fitores së fundit me Vllazninë.

KALARI – Renaldo Kalari u tregua i sinqertë në intervistën e dhënë pas ndeshjes me Vllazninë, pasi nuk e shikonte veten si trajner të parë për pjesën në vazhdim. “Nuk e kam idenë kush do të jetë trajneri i ri. Të jem realist, nuk do të jem më trajner. Shpresoj të mbetem në staf.

Emra konkretë asnjë nga ne nuk di. Të gjithë kemi besim se Partizani mund të dalë sërish kampion. Ishte një moment i vështirë yni. Shpresoj dhe besoj se e kemi kaluar pas fitores me Vllazninë”, u shpreh trajneri Kalari pas suksesit me shkodranët.