Vllaznia po kalon një moment mjaft të mirë, ku përveç golashënuesve që ka në repartin e sulmit, vlen të përmendet një nga më të mirët në Shqipëri për rolin e tij, Geralb Smajli. Mbrojtësi i krahut të djathtë që gjithashtu është pjesë e Kombëtares U-21, është një pikë kyçe si për kuqezinjtë, por padyshim edhe për shkodranët.

Një lojtar që ka karakteristikat dhe aftësitë e duhura për të qenë mes më të mirëve, duke qenë në radarët e Sylvinhos. Smajli mund të shihet si një “kërcënim” serioz për dyshen e krahut të djathtë të mbrojtjes së kuqezinjve, Hysaj-Balliu, duke patur parasysh që njëri është 30 dhe tjetri 32 vjeç.

21-vjeçari që është kthyer në titullar fiks te Vllaznia, që synimin tashmë ka titullin kampion. Smajli ka luajtur dy ndeshje në Kupë, ku ka gjetur edhe një gol. Këto dy sfida, mbrojtësi i talentuar i ka luajtur të plota, duke qenë 180 minuta në fushë. Edhe në Conference League ka qenë një pikë kyçe për Vllazninë, pavarësisht rrugëtimin të shkurtër që këta të fundit patën. Mbrojtësi i djathtë në dy sfida përballë Linfield ka luajtur 109 minuta, jo pak për një lojtar të ri, i cili me potencialin e tij ka treguar që mund të përballojë mirë edhe “arenën” ndërkombëtare.

Ndërsa në Superiore, ajo për ç’ka Vllaznia po lufton seriozisht dhe ku ra në sy cilësia e jashtëzakonshme e Smajlit, ky i fundit po tregon vlera të mëdha duke mos e diskutuar prezencën e tij në fushë. Në plot 20 ndeshje të luajtura në Superiore, këtë sezon mbrojtësi 21-vjeçar ka qenë në fushë 1744 minuta, duke humbur 56 minuta nga gjithë këto sfida. Gjithashtu Smajli ka mundur të asistojë në 3 gola për të tijët në kampionat. Në rrugën e qartë drejt objektivit titull, Geralb Smajli në një farë mënyre ka bërë që harrohet Gurishta.

Statistika mjaft të mira për një lojtar që luan si mbrojtës i djathtë dhe me vlerën 250 mijë euro në “Transfermarkt”, Smajli mund të jetë në verë një okazion për ekipet jashtë vendit, me lojtarin që e ka treguar që mund të luajë në çdo fushë pa e patur problem cilësinë që zotëron kundërshtari. Në krahun e tij, Smajli mund të “fusë në xhep”, këdo që dëshiron.

Nuk duhet lënë pas aserie ekspnca e tij me fanellën kuqezi. Smajli është aktivizuar me Kombëtaren U-20 në 3 ndeshje, ndërsa me ate U-21 ka shkëlqyer në 7 sfidat e luajtura, duke gjetur edhe golin në një rast, duke treguar që përveç detyrës mbrojtëse, di të shënjestrojë mjaft mirë edhe portën e kundërshtarit.

Me Vllazninë ka kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2026, por duke parë rritjen “monstruoze” të tijën, nuk është çudi që sezonin tjetër, Geralb Smajli ta nisë me një tjetër ekip, jashtë vendit tonë. Mjafton të hedhësh një sy në lojën e tij dhe padyshim krijon mendimin që mbrojtësi i Vllaznisë, mund të mbajë mbi supe “peshën” e çdo fanelle.(Marrë nga newsport.al)