Valbona ka “goditur” në merkato. Një ndër afrimet më të mëdha të kësaj vere është padyshim Gerhard Progni. Mesfushori me tipare sulmuese kthehet në kampionatin shqiptar pas 4 sezonesh të suksesshme në Kosovë. Tropojani ka vendosur që tashmë t’i japë një dorë skuadrës së origjinës dhe vjen me ide të qarta: t’i ngjis në Kategorinë e Parë.
Gjatë një deklarate të dhënë për mediat, 36-vjeçari thotë: “Prej disa ditësh jam pjesë e Valbonës dhe kam ardhur me një qëllim madhor, ta çoj në Kategorinë e Parë. Është detyrim për çdo tropojan që të kontribuojë për skuadrën e qytetit.
Emri i Valbonës duhet të jetë në listën e skuadrave të respektuara të futbollit shqiptar. Me afrimin e disa elementëve cilësorë, besoj se do ta realizojmë objektivin.
Të mos harrojmë se kemi edhe një faktor plus, tifozët, dhe sidomos në ndeshjet brenda”.