Rajan Gigs ka dalë sot në konferencën për shtyp para ndeshjes që Uellsit që drejton legjenda e futbollit botëror, do të luajë kundër Shqipërisë. Ish-mesfushori mendon se kuqezinjtë do të jenë shumë më të mirë ndaj ekipit të tij, ndërsa i ka vlerësuar për minuta e parë ndaj Skocisë.

Ndërkohë, ai ka pranuar se nuk ka kujtime nga goli që u ka shënuar kuqezinjve në vitin 1994.

“Kam mundësinë që të provoj disa lojtarë të rinj pasi kjo ndeshje ta lejon. Do të bëj të gjitha zëvendësimet e mundshme në këtë duel. Kemi ardhur për të fituar këtu.

Do e shoh nesër nëse luan apo jo Bejl, është njëlloj si të tjerët. Do e shoh para ndeshjes e mund të luajë, nuk ka asnjë problem fizik, ndaj është i gatshëm. Ganter nuk di ende se ku do ta aktivizoj, por do të jetë titullar. Do të luajë një ndeshje historike, do të thyejë një rekord të vendosur shumë vite më parë. Do të jetë një ndeshje e madhe për të.

Goli kundër Shqipërisë në 1994, të them të drejtën nuk e mbaj mend aspak. Duhej ta kisha mbajtur mend se nuk kam shënuar shumë gola. Ka shënuar edhe Koleman? Si ka mundësi, të paktën të tijin duhet ta mbaja mend. Duket qartë që më ka humbur memoria.

Do të jenë 1200 tifozë që do të mbështesin skuadrën tonë në këtë ndeshje dhe ne e vlerësojmë në maksimum këtë gjë. Nëse humbasim kundër Shqipërisë nuk është diçka e madhe.

Shqipërinë e pashë kundër Skocisë dhe janë një skuadër shumë solide. Në 22 minutat e para bënë një ndeshje shumë të mira dhe të dyja skuadrat mund të shënonin. Po ishin të pafat. Pres një reagim nga Shqipëria dhe jam i sigurt do të bëjnë maksimumin kundër nesh”,- tha Gigs./vipsport/