Joakim Lëv nuk frikësohet nga fakti se ka regjistruar vitin më të dobët në historinë e përfaqësueses gjermane, e cila për herë të parë ka regjistruar 6 humbje në një vit kalendarik.

Trajnerin nuk e shqetëson as fakti se ekipi që drejton rrezikon seriozisht të bjerë në Ligën B, që do të ishte një dëm i madh për imazhin e tij.

Trajneri ka folur para medieve sot duke deklaruar se për të do të ishte mjaft pozitive të mbyllte vitin me një marsh tjetër. “Do të ishte diçka e bukur që të mbyllnim vitin me dy fitore, do të na ndihmonin,

Së fundmi kemi luajtur një futboll të shëmtuar dhe regjistruar shumë zhgënjime”, pranoi ai duke folur para sfidës miqësore me Rusinë dhe më pas asaj zyrtare me Holandën.

“Do të na nevojitet më shumë kohë, kemi në përbërje shumë të rinj si Verner, Sane, Brandt apo Kimih të cilët janë të aftë, por duhet t’u lihet kohë të piqen si futbollistë. Ndaj kërkoj nga të gjithë më shumë durim”, ishte apeli i trajnerit.

“Sigurisht qe do të bëjmë maksimumin për të qëndruar në Ligën A, por tashmë nuk është më në dorën tonë. Me siguri do të ketë ndryshime të mëdha në rrugën drejt EURO 2020, por do t’i marrim gjërat hap pas hapi”, theksoi Lëv. /vipsport/