Deklarata e ish-trajnerit Sven-Goran Erikson ka tronditur të gjithë opinion sportiv në javën e fundit. Suedezi ka treguar se ka tumor dhe se në rastin më të mirë i mbetej një vit për të jetuar.
Por në intervistën e tij, trajneri i cili në karrierë ka fituar titullin kampion me Lacion në Serinë A dhe ndër të tjera kë drejtuar edhe përfaqësuesen e Anglisë, zbuloi njëkohësisht se një nga pengjet me mëdha të karrierës ishte se nuk drejtoi asnjëherë Liverpulin pasi kishte qenë gjithmonë tifoz i kësaj skuadre.
Ndërsa tifozët e të kuqve janë mobilizuar për ta bërë Erikson trajner në ndeshjen që skuadra e legjendave të këtij klubi do të luajë në mars ndaj Ajaksit, vetë Jurgen Klop i ka bërë një ftesë të hapur që për një ditë të jetë ai trajneri i skuadrës.
“Për fat të keq nuk e njoh personalisht. E njoh, pa e njohur, pasi nuk jemi takuar asnjëherë me sa di unë, Ishte padyshim një lajm prekës kur mësova rreth kësaj situate. Dëgjova për herë të parë rreth admirimit dhe dashurisë së tij për Liverpulin dhe se ishte një tifoz gjatë gjithë jetës. Kam dëgjuar edhe për atë që është thënë për ndeshjen e legjendave.
Nuk jam unë ai që vendos për këtë dhe nuk di çfarë të them. E vetmja gjë që mund të them është se ai është absolutisht i mirëpritur këtu dhe mund të vijë e të ulet në karrigen në zyrën time dhe bëjë punën time nëse dëshiron. Nuk ka asnjë problem në këtë aspekt. Të jetë në pankinë për ndeshjen do të jetë pak më e vështirë.
Ne padyshim do ti themi që të vijë këtu dhe t’i tregojmë gjithçka dhe se sa shumë është zhvilluar ky klub në vite. Ai mund të vijë këtu dhe të kalojë padyshim disa orë shumë të këndshme këtu”, tha Klop para gazetarëve.