Presidenti i ri i basketbollit shkodran Alban Xhaferi dhe stafi i tij duket se kanë ardhur me një projekt shumë serioz në krye të këtij ekipi. Kuptohet që për momentin po bëhen gjërat më të domosdoshme, ato të ringritjes së ekipit të djemve, por planet e tyre janë të shumta dhe të gjata.

Shumë shpejt pritet të bëhet edhe mbledhja e parë e kryesisë së shoqatës së basketbollit ku do të zyrtarizohet largimi i ish- presidentit Sokol Dibra dhe zgjedhja në këtë post e presidentit të ri Alban Xhaferit, por jo vetëm kaq. Drejtuesit e rinj kanë menduar një gjetje fantastike.

Në kryesinë e re apo më mirë të themi në presidencën e re, pjesë e saj do të jenë edhe përfaqësues të tifozëve. Kjo gjë është bërë e ditur nga drejtori teknik Altin Halili i cili mesditën e sotme ka qenë i ftuar në emisionin “Studio Sport” të gazetarit Gasper Marku në Radio Shkodra.

“E kam thënë edhe më përpara dhe po e përsëris: Ne i konsiderojmë tifozët pjesë të rëndësishme të projektit tonë dhe të mbështetjes së Vllaznisë. Një apo dy pjestarë të tifozëve, do të jenë pjesë e presidencës dhe në mbledhjet që do të zhvillohen, ato do të vendosin për mënyrën si do të organizohen tifozët dhe shumë gjëra të tjera.

Këtu e kam fjalën jo vetëm për “Vllaznit Ultras” por edhe për tifozët e tjerë të cilët kanë qenë një mbështetje e madhe e ekipit dhe kështu besojmë se do të jenë edhe në të ardhmen”.
© shkodrasport.com