Paraqitjet e dobëta që kanë dhuruar përfaqësueset e moshave të Shqipërisë mund të sjellin ndryshime radikale në stafet drejtuese të tyre. Nëse te Shqipëria U17 ndryshimi është i detyrueshëm pasi trajneri i saj, Xhemal Mustedanagiç tanimë mban rolin e Drejtorit Teknik në FSHF, edhe te përfaqësueset e tjera parashikohen lëvizje të cilat janë paralajmëruar nga presidenti Armand Duka.

“Kemi bërë një analizë të parë, do të bëjmë një të dytë para fundit të vitit. Por mund të ndryshohen të gjtihë”, deklaroi Duka sot para gazetarëve, duke bërë të qarët se koha për të “mësuar dorën” në karrierën e re që u kishte lënë Erjon Bogdanit dhe Alban Bushit mund të ketë mbaruar.

Në dy vitet e fundit, asnjë prej përfaqësueseve shqiptare U17 apo U19 nuk ka arritur të kalojë turin edhe pse me shumë elementë cilësorë në dispozicion, ndërsa ka pasur vazhdimisht pakënaqësi rreth përbërjes së listave.

Ndërkohë, edhe Alban Bushi nuk ka arritur ende rezultatet e pritshme me U21, ndonëse kishte në përbërje elementë të cilët shihet qartësisht se mund të luajnë edhe për një vend në radhët e përfaqësueses A. /vipsport/