Safet Gjici ka qenë i pranishëm sot në një konferencë për shtyp në “Kukës Arena”. Presidenti i Nderit i Kukësit u ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë lojtarëve. Gjici i paralajmëron se fjala e trajnerit do të jetë ligj nga këtej e tutje dhe se nuk pranon më justifikime nga futbollistët. Presidenti i verilindorëve kërkon kthesën që nga ndeshja e nesërme kundër Partizanit, ndërsa u kërkon lojtarëve të pyesin veten se përse një ekip si Erzeni, që ka buxhetin sa paga e një lojtari të Kukësit, tashmë kryeson tabelën e “Abissnet Superiores”.
“Doja t’ju takoja dhe t’ju thoja vetëm diçka. Nuk dua më justifikime nga lojtarët. Justifikime të panevojshme të pajustifikuara mbarojnë. Për rrjedhojë kërkojmë që nesër të tregoni ju veten në radhë të parë. Të tregoni që ndoshta kishit të drejtë ju për shumë gjëra që nuk ecnin si duhet. Një start shumë i dobët i Kukësit. Në fakt më ka habitur ekipit i Shijakut.
Një lojtar paguhet këtu sa gjithë pagesa e Shijakut dhe imagjinoni që Shijaku sot është në vend të parë. “Përse është në vend të parë?”,- duhet ta pyesni ju veten. Kukësi ka blerë sivjet lojtarë më shumë se çdo vit tjetër. Pothuajse janë dy ekipe te Kukësi. Ajo çfarë është kërkuar, klubi e ka plotësuar. Tani duhet rezultati.
Trajneri është fuqiplotë, i mbështetur tërësisht nga ne. Kujdes lojtarë! Mos kujtoni se mund të bëni si doni. Fjala e trajnerit është ligj. Mos të kujtojë ndonjëri se mund t’i kthejë fjalën trajnerit, sepse kështu ia kthente X-it apo Y, sepse pastaj do keni punë me mua. Autoriteti i trajnerit është i padiskutueshëm te ju. Ne kemi vite që nuk ndërhyjmë në punën e trajnerit. Bëjmë analiza si klub, por kurrë nuk kemi ndërhyrë në formacion. Prandja dua që të marrim kthesën që nesër. Dua që ekipi të bëjë kthesën e madhe nesër.
Ne shkuam deri në tur të katërt të Europa League. Kishim një ekip pa emra të mëdhenj, por kishim grupin. Kjo është shumë e rëndësishme në këtë lojë. Duhet të jemi të gjithë kompakt si grup. Komunikoni me etikë me njëri-tjetrin dhe zbatoni ato që ju thotë trajneri. Kemi lojtarë që bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar, por nuk po dalin në fushë. Më thonë që bëjmë shumë stërvitje, por nuk po dalin në fushë”, ka deklaruar Safet Gjici./Sport Ekspres/