Një tjetër basketbollit që mbylli sezonin e kaluar me Vllazninë, pikërisht malazezi Nikolla Gjokoviç, që nga dita e sotme ka gjetur një ekip tjetër. 28 vjeçari pas tre sezoneve të luajtura në kampionatin shqiptar me ekipin shkodran, tashmë ka vendosur të jetë pjesë e Sutjeskës së Nikshiqit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e vendit fqinj. Gjokoviç ka qenë një nga elementët më të rëndësishëm të kuqebluve në këto tre sezone duke dhënë një kontribut të madh në shpalljen kampion të tyre. Për më tepër, ai u shndërruar në një “beniamin” të tifozërisë.

Megjithatë, tashmë ata duhet ta harrojnë këtë sportist sepse në sezonin e ri do të luajë me një tjetër skuadër. Vllaznia në këtë mënyrë do të duhet të bëjë pa të. Madje,nga sa shihet, në sezonin që do të nisë javën e ardhshme, në rradhët e saj do të ketë vetëm basketbollistë shkodranë. Kjo ngaqë presidenti Sokol Dibra, për momentin ka vendosur të mos investojë për marrjen e lojtarëve të huaj.
© shkodrasport.com