Menaxheri shkodran Dritan Gjyrezi që siç dihet është përfaqësuesi i klubit të futbollit Vllaznia në Shoqatën Europiane të Klubeve (ECA), është pranuar nga drejtuesit e lartë të kësaj shoqate të jetë pjesë e grupit të punës që do drejtojë dhe bashkërendojë punët për një periudhë dyvjeçare 2013-15. Ky është lajmi më i fundit që ka mbërritur nga zyrat e këtij institucioni që gjenden në Zvicër. Sigurisht që ky është një eveniment sepse tashmë Gjyrezi do jetë pjesë e diskutimeve në çdo tryezë të këtij forumi ku bëjnë pjesë ekipet më të njohura të kontinentit tonë dhe natyrisht që ai do të mundohet të ngrejë zërin edhe për një mbështetje më të madhe të kësaj Shoqate në adresë të klubit Vllaznia, lidhjen e marëveshjeve me klube të tjera të njohura etj. President i këtij grupi të punës është presidenti aktual i Juventusit Andrea Anjelli ndërsa zëvendëspresident Theodore Giannikos, drejtues i lartë i Olimpiakosit të Pireut. Përveç këtyre dy drejtuesve të lartë, grupi i punës do të përbëhet edhe nga përfaqësuesit e klubeve të njohura si ato të Realit të Madridit, Interit të Milanos, Olimpikut të Marsejës, Portos, PSV Eindhoven, ëolfsburf, Olimpik Lion, Fulham, Genk, Zenit Petersburg, Basel, Gallatasaraj, Red Bull Salzburg, Leh Poznan, Selltik, Cervena Zvezda, Steau Bukuresht, Debrecen dhe Birkirkara. Mes gjithë këtyre është edhe Dritan Gjyrezi si përfaqësues i klubit Vllaznia. Natyrisht që ky është një sukses i madh sepse nuk është e lehtë të të pranojnë për të qenë pjesë e grupeve të punës në të tilla shoqata ku bëjnë pjesë klubet më të njohura të Europës. Megjithatë Gjyrezi do të dijë ta bëjë ashtu siç duhet punën e tij falë aftësive që zotëron për ta bërë sa më të dëgjuar emrin e Vllaznisë në kontinent dhe për të përfituar ndonjë ndihmë apo bashkëpunim tjetër me këtë shoqatë apo dhe me klubet që janë pjesë e saj. Mbledhja e parë e grupit të sapokrijuar të punës, pritet të bëhet brenda këtij viti për të hartuar pastaj edhe projektet dhe planet e punës për vitin e ardhshëm. 
Gjergj Kola