Java e 7-të e Kategorisë së Dytë do zhvillojë ndeshjet e këtij raundi në këtë fundjavë, të ndarë në ditën e shtunë dhe atë të dielë. Protagoniste do jenë edhe ekipet e qarkut të Shkodrës ku do ketë me të vërtetë disa sfida interesante.

Veleçiku që ka një përballje me Gramshin ,do luajë ditën e shtunë në orën 13:00 në Koplik me synimin për tu kthyer tek fitorja e sidomos përballë tifozëve, ku pritet një mbështetje e madhe në favor të skuadrës së drejtuar nga Dritan Smajli.

Gjysma e objektivit për skuadrën koplikase në këto dy javë është përmbushur. Kjo pasi drejtuesit kishin vendosur si objektiv marrjen e 4 pikëve në duelet kundër Valbones në transfertë dhe kundër Gramshit në shtëpi. Përballja me tropojanët përfundoi 1-1 duke rikthyer disi qetësinë tek Veleçiku që pavarësisht lojërave të mira ndoshta nuk kishte pasur edhe shumë fat me rezultatet e fundit.

Tashmë kundër ekipit nga Gramshi pritet suksesi për të mbyllur një javë positive, por pse jo ndoshta për të tentuar edhe kreun. Kjo pasi skuadra që janë pretendente për tu ngjitur në Kategorinë e Parë si: Vora do ketë një duel delikat përballë Ilirisë që kërkon pikë për mbijetesën në këtë kategori. E po ashtu Valbona udhëton drejt Shkodrës për të luajtur kundër Murlanit, që po ashtu kërkon pikë shprese dhe për tropojanët nuk do jetë aspak e lehtë në këtë javë.

Gjithashtu edhe Sopoti, një ekip që ka investuar goxha në këtë edicion do ketë një përballje me Shënkollin në transfertë. Ku duelet me këtë skuadër janë gjithmonë të forta për këdo.

Prandaj kjo mund të jetë java ideale për skuadrën e Veleçikut për të marrë një fitore, por edhe për tu afruar sa më shumë me kreun. Pasi edhe koplikasit kanë pretendime serioze në këtë edicion për tu ngjitur në Kategorinë e Parë e prandaj gjithçka nis nga ndeshjet shtëpiake që janë të rëndësishme për këtë skuadër.
Endri ÇINARI