“Klasikja e Shqipërisë” Tirana-Vllaznia do të jetë kryendeshja e kësaj jave të Abissnet Superiore. Fillimisht, kjo përballje ishte programuar për t’u luajtur në Shkodër, sipas kalendarit të FSHF për javën e 12-të të Abissnet Superiore, por rimbjellja e barit në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, e spostoi këtë ndeshje të luhej në kryeqytet.

Ky spostim erdhi me marrëveshjen mes dy klubeve dhe të FSHF, teksa u fiksua që kjo sfidë të luhej në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 13:00 të shtunën.

Megjithatë, tashmë është miratuar përfundimisht që ndeshja Tirana-Vllaznia, e vlefshme për javën e 12-të të Abissnet Superiore, të luhet në orën 13:00 të së dielës, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Arsyeja është sepse për hir të së vërtetës, në këtë datë do të ishte e pamundur të luhet, pasi Opozita ka paralajmëruar një protestë masive kundër Qeverisë shqiptare. Në fakt, ka qenë FSHF që me kërkesën e Policisë së Shtetit, ka ndërhyrë për të spostuar ndeshjen në një ditë tjerë, siç edhe ndodhi.

Vendimi në fjalë për spostimin e ndeshjes është marrë edhe me kërkesën e Policisë së Shtetit, e cila nga ana e saj, nuk ka marrë përsipër garantimin dhe sigurimin e rendit publik ditën e shtunë.

Në këtë mënyrë, planet e drejtuesve të ekipit të Vllaznisë, por edhe të tifozëve shkodranë kanë ndryshuar dhe tashmë, ata kanë nisur të bëjnë planet për të dielën për udhëtimin e tyre drejt kryeqytetit.

Tashmë, përfundimisht ndeshja Tirana-Vllaznia, e vlefshme për javën e 12-të të Abissnet Superiore, do të luhet në orën 13:00 të së dielës, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Maringlen ZHIVANI